Ishte Ylli i Karvanit
Shkruar nga Ramazan Mile, Gazetar
Tingujt e violinës dhe valët e lumit formonin një duet muzike aq të mahnitshëm sa përjetësia shpirtërore dhe njerëzore krijonin një parajsë e cila do të ishte e denjë për çdo krijesë tokësore dhe qiellore. Pjerrësia e rrezeve të hënës pasqyronte mbi sipërfaqen e lumit një tablo rrezatuese të denjë për një piktor. Çadrat e vendosura në formë rrethi, si një arenë cirku, flakëronin nga një zjarr i madh. Burra dhe gra, të ulur rreth tij, të pluhurosur nga rruga e gjatë, kuvendonin në gjuhën rrome, në gjuhën e lodhjes, në gjuhën e shtegtimit. Fëmijët e lodhur kishin mbështetur kokën në prehërin e nënave, flinin dhe ëndërronin. E madhërishme dhe e plotfuqishme dukej nata mbi këtë grup shtegtarësh.
-Mos e këndo atë këngë! - u dëgjua një zë i ashpër.
Melodia e një kënge të vajtueshme u pre në mes brenda një cadre. Një melodi e lënë përgjysmë... Një kujtim i harruar “ Lot dhe dashuri”. Pas pak një zë ëngjellor dhe i plotfuqishëm sikur zbriti nga retë duke sfiduar qetësinë e kësaj mbrëmjeje. Një vajzë e re, e veshur me flakërimën e zjarrit, u duk në mes të rrethit e shoqëruar me tingujt e violinës. Mos do të matej me hënën kjo pagodë e gjallë indiane? Nga ecja mund ta krahasoje pa frikë me hijeshinë e trokthit të kuajve arabë. Një bukuri e rrallë midis zjarrit, hënës dhe lumit. Ishte “Ylli i Karvanit”, kështu e quanin rromët. Ishte mjerimi dhe lumturia e tyre. Burim grindjesh për djemtë, parajsë e bukur për prindërit. Këmbët e saj të vogla, të denja për një princeshë rrome, filluan të lëviznin me gjallëri saqë pleqtë tundën të menduar kokat e thinjura. Djemtë u ngritën në këmbë. Le të kërcejmë, thanë. U ngritën të gjithë, pleq e fëmijë. Le ta sfidojmë këtë mbrëmje me këngë e valle. U ngrit plaku, prijësi i karvanit dhe e hiqte vallen si një djalë i ri. Vazhdonte vallja cigane. Ylli i karvanit rrezatonte plot dritë në qendër të rrethit. Një fëmijë zuri të qaj me zë të çjerr. U duk sikur kënga dhe vallja u pre në çast.
-Çfarë kërkon fëmija? – pyeti me zërin e ashpër prijësi i karvanit.
-Jepi të pijë!
-Nuk do, - u përgjigj e ëma me ankth.
-Atëherë le të këndojë, - tha zëri përsëri,- është ende i vogël.
-Po, çfarë kërkon atëherë?
-Kërkon hënë midis nesh.
-Këputjani dhe jepjani atë gjerdan të artë, - tha përsëri me një zë gazmor prijësi i karvanit.
Vallja cigane vazhdonte plot hare derisa yjet u shuan në qiell.(ne krye)
Kthim nga rruga e ferrit
(Historia e një emigranti rrom)
-Ishim 60 vetë - filloi të tregonte njëri nga të kthyerit. Kishim tri ditë që udhëtonim. Këmbët na ishin enjtur, trastat mbi kurriz na rëndonin si mallkim. Buka na ishte tharë. Etja na mundonte, buzët na ishin tharë për një pikë ujë. Kërkonim një oaz në këtë shkretëtirë pylli pa mbarim. Udhëtonim natën dhe flinim ditën. Vapa na zhuriste po ne ishim të vendosur ta kalonim pa problem vijën e kufirit e të mbërrimin në destinacionin e duhur. Nuk kishim kohë të mendonim nëse do të gjenim punë apo jo. Kjo ishte e dorës së dytë. E rëndësishmja ngelej për ne, shmangja dhe përplasja me ushtarët e vendit të huaj. Kishim dëgjuar se po të kapnin të torturonin në mënyrë çnjerëzore. Ankthi, lodhja, streset e një vendi të huaj krijonin një pështjellim në mëndjen tonë, sa nuk ishim në gjendje as të flisnim, as të mendonim.
-Po gra kishit me vete? – e pyeta unë duke përfituar nga një heshtje e shkurtër e tij.
-Oh, gra, - foli ai i menduar duke thithur fort cigaren. – Sigurisht gratë janë një pjesë e pandarë e udhëtimeve. Ishin 6 gra të veshura keq, i kishim futur në mes të kollonës për t'i mbrojtur nga ndonjë e keqe. Po, a mund t'i mbrosh në një vend të huaj? – buzëqeshi hidhur dhe fytyrën ia mbuloi një zemërim i papërshkruar. Ecnim përmes një pylli pa mbarim. Ajri ishte i pastër, zogjtë na shoqëronin gjatë gjithë udhëtimit me cicërimat e tyre dhe kjo për ne ishte një ngushëllim. Fatin tonë ia kishim besuar udhrrëfyesit që ecte në krye të kollonës. Ishim tepër të lodhur kur udhërrëfyesi na bëri shenjë të ndalonim. Të drobitur nga lodhja dhe gjumi u ulëm ku të mundnim duke vënë pranë këmbëve trastat e bukës. Duam edhe pak që të dalim nga pylli dhe pastaj pasi të ecim edhe ca do të mbërrijmë në destinacionin e duhur, - foli udhrrëfyesi, - prandaj çlodhemi disi. U shtruam përtokë duke vënë trastat, nën kokë, gati po na zinte gjumi. Një gjumë rraskapitës me hije dhe ëndrra të zeza në kokë, trupi i lodhur na dukej i huaj, ashtu si toka ku ishim mbështetur për të marrë pak fuqi që nuk vlen në një vend të huaj. Janë çastet e mjerimit dhe të shpresës kur avujt e mendjes marrin arratinë drejt së panjohurës. Kur arteriet e zemrës, me lëngun e jetës presin çastet e ngrirjes dhe këto çaste janë të pranishme në rrugën përmes së cilës ecim, ku qetësia dhe shpresa ecin së bashku, kur sekondat dhe rastësia vlejnë shumë në jetë. Kur e papritura vjen jo në kohën e duhur, ku fati të mallkon dhe të mbetet fatalitet.
Ai fliste i menduar dhe i revoltuar me përmasat e një qenieje njerëzore, i mundur dhe i shkatërruar nga ai fatalitet i pashmangshëm i jetës, i së drejtës dhe i lirisë për të jetuar. Në moment, ai e ndërpreu bisedën duke thithur cigarën i menduar.
- Si përfundim, mbërritët në destinacionin e duhur?
-Si përfundim, - foli ai me një buzëqeshje të thërrmuar, - na zgjuan ushtarët me shkelma duke na ndërsyer qenin. Ishin gjithsej katër persona të armatosur dhe qeni kishte emër të bukur, Maks e quanin. Na grumbulluan dhe na rreshtuan në fillim me ndihmën e qenit, i cili ishte shumë i shkathët për të na kafshuar. Në fillim, si zakonisht na kontrolluan trastat.
Me ndihmën e përkthyesit, i cili ishte edhe udhrrëfyesi ynë, na pyetën nëse kishim armë me vete apo jo. Sigurisht asnjë prej nesh nuk kishte armë. Megjithatë, ata për të treguar zellin e tyre ushtarak na shtrin të gjithëve barkas dhe Maksi, nën komandën e tyre, na “ledhatonte” herë pas here me një të kafshuar të fortë. Më keq e kishin gratë që ulërinin, për çdo kafshim që bënte Maksi merrte përgëzimet e ushtarëve. Ishin momente të vështira. Ushtarët na dukeshin jo si qenie njerëzore por si djajtë e ferrit. Fytyrat e tyre kishin marrë trajtën e Maksit. Pasi na zbathën këpucët dhe na i varën në qafë, na rreshtuan në njësh-kolonë dhe na godisnin me qytat e armëve, sikur ne të ishim qenie të ardhura nga një planet tjetër dhe jo bijtë e kësaj toke. Kishim gati dy orë që udhëtonim, në rrugë të thepisura me shkëmbinj e gurë të mprehtë, të cilët na copëtonin dhe gjakosnin këmbët. Gratë filluan të qanin dhe ju luteshin ushtarëve që t'i lejonin të vishnin këpucët, por si përgjigje merrnin vetëm kafshimet e qenit.
Në një moment të caktuar njëri prej ushtarëve për ta bërë rrugën sa më të “gëzueshme” urdhëroi përkthyesin që ta shoqëronim atë me një këngë greke në formë kori. Të detyruar dhe të poshtëruar filluam të këndonim greqisht pa e ditur kuptimin e këngës sepse asnjëri prej nesh nuk dinte asnjë fjalë greqisht. Ashtu siç thuhet, këngët nuk kanë nevojë për t'i kuptuar fjalët sepse meloditë e tyre “vëllazërojnë popujt”. A nuk është internacionalja “kënga e të gjithë popujve të botës?
-Sigurisht, -ia ktheva unë, duke i buzëqeshur me ironi.
-Pas disa orë udhëtimi mbërritëm në desinacion, jo për atë që u nisëm, por për atë që na caktoi fati. Na grumbulluan në formë rrethi, si bagëti dhe na lanë në diell pothuajse 5 orë. Etja dhe uria na mundonin me përmasa therëse. Buzët kishin kohë që na ishin çarë, secili nga ne do të jepte gjysmën e jetës për një pikë ujë. Filluan të na merreshin mendte dhe të na turbullohej shikimi. Ishte fundi i durimit tonë. Dikush u ngrit nga rrethi dhe kërkoi ujë. Ushtarët si duket të kënaqur nga detyrat e tyre, këtë herë vunë dorën në zemër, por për këtë nuk jam shumë i sigurtë nëse kishin zemër apo jo.
Na lejuan të pinim ujë me rradhë dhe kush e ka provuar etjen e di ç'do të thotë të pish ujë. Nga perëndimi i diellit u duk një makinë burgu. Na morën e na ngjeshën si sardele brenda për të na nisur drejt kufirit nga kishim ardhur. Kësaj radhe ushtarët nuk na goditën, por na shikonin me keqardhje si duket humbën një pjesë të tragjikomedisë së tyre. Megjithëse Eskili i madh do t'i pështynte në fytyrë këto qenie jonjerëzore. Maksi na shoqëroi me skërmitje dhëmbësh, dukej shumë i lumtur.
-A do të nisesh prap, - e pyeta unë?
-Sigurisht, - tha i menduar. –Rruga mbetet rrugë. Ndoshta nga rruga e ferrit, mund të kalojmë përmes “Parajsës”. (ne krye)