Informacion

 

Historia dhe Kultura e popullit Rrom

 

Historia dhe origjina
Shumë hipoteza janë hedhur për origjinën e rromëve dhe vetëm faktet gjuhësore të trashëguara vërtetojnë origjinën e tyre Indiane.
Në të vërtete ende edhe sot e kësaj dite nuk dihet se përse janë larguar parardhësit e rromëve nga vendbanimet e tyre në Indin veri-perëndimore. Ata filluan lëvizjen drejt perëndimit në shekullin e XI.

Tregime te ndryshme dhe gojdhëna flasin për ngjarje të ndryshme, si:

  • Rromët ishin banorë të Atlantidës dhe kur ajo u mbyt ata u detyruan të largoheshin dhe të përhapeshin në të gjithë botën me kalimin e kohës.
  • Rromë të tjerë tregojnë se paraardhësit e tyre jetonin në një mbretëri të madhe dhe mbreti i tyre ishte shumë i egër me popujt fqinj, të cilët u bashkuan dhe i hapën luftë. Me fitimin e luftës ata vendosën të vrisnin mbretin dhe të falnin popullin e tij me kusht që ky i fundit të largohej sa më larg që të ishte e mundur nga vendbanimet e tyre.
  • Dhe të tjerë rrom tregojnë se India u sulmua nga një mbret i madh Mysliman. Indianët e atëhershëm u bashkuan dhe kruijuan një ushtri të madhe me popuj dhe fise të ndryshme, indian dhe jo-indian. Kjo ushtri e madhe luftoi për shumë shekuj kundër forcave myslimane duke i shtyrë ato gjithmon e më shumë drejt perëndimit, por gjithashtu edhe duke u larguar vet gjithnjë e më shumë nga India. Kjo luftë në shekullin e XI në të vërtetë njihet edhe nga histori.

Mësuesi rrom Latif Kazanxhiu tregon se pas luftrash shumëvjeçare për pavarësinë e Indisë nga pushtuesit mysliman në afërsi të Traimesë, paraardhësit e rromëve të cilët ishin një kast aristokrate luftëtarësh pas vitesh të tëra lufte për mbrojtje pësuan disfat dhe u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre. Rromët në Ballkan u vendosën në grupe të veçanta ose u sollën nga ushtritë turke në të cilën formonin reparte të veçanta për prodhimin e barutit dhe të armëve. Për ardhjen e rromëve në Shqipëri ka disa të dhëna sipas një rregjistrimi otoman të vitit 1523 vlerësohëshin rreth 374 familje rrome, por mendohet se ato kanë ardhur 200-300 vjet para këtij rregjistrimi. Sipas profesorit Shuaip Isufi-thotë ai- në shek. III p.e.s. në Indi jetonte një mbret i fuqishëm i quajtur Roma, i cili e donte shumë popullin e tij. Pas vdekjes njerëzit e thjesht i krijuan poema të cilat me kalimin e kohës krijuan eposin Romajama. Nga ky epos u veçuan 220 strofat më të mira që këndoheshin në tempuj. Kështu lindi miti i Ramizimit. Njerëzit që besonin këtë fe u quajtën Ramista dhe më vonë Rrom.

Simbolet
Kombi rrom në tërë botën ka Himnin dhe Flamurin e vet, simbole të cilat u vendosën në Kongresin e parë Rrom që u mbajt në Londër në Prill të vitit 1971.
Pjesmarrësit rrom nga 22 vende të ndryshme vendosën njëzëri ditën 8 Prill si ditën ndërkombëtare të Rromëve. Aty u vendos flamuri rrom gjysëm i gjelbër (simbol i tokës), gjysëm blu (simbol i qiellit) dhe një rrotë e kuqe në mes që simbolizon lëvizjen. Ndërsa Himni rrom është kënga “Gelem, Gelem” (Shkova, Shkova).
Deri tani janë mbajtur 4 Kongrese Botërore Rrome, të cilët kanë vendosur përdorimin e termit rrom në vend të termave të tjerë që ishin përdorur deri atëherë si dhe vendosjen e alfabetit të gjuhës rrome.

Ngatërresa
Në vendin tonë shumë persona e ngatërrojnë komunitetin Rrom me komunitetin Egjiptian (që në gjuhën popullore shpesh i thërrasin Evgjit ose Jevgjit). Ky komunitet ndryshon nga rromët sepse nuk ka gjuhë të vetën amëtare, origjinën mendohet se e ka nga Egjipti dhe është i vendosur vetëm në zonat urbane.
Edhe vetë termi RROM sjell ngatërrime tek jo-rromët në përgjithësi, p.sh. shumë njerëz mendojnë se ata vijnë nga Rumania apo kanë lidhje me Romën- kryeqytetin e Italisë.

Festat rrome
-- 8 Prilli Dita e Kombit Rrom festohen në të gjithë botën me ceremoni nga më të ndryshmet: mbledhje e simpoziume, muzikë, karnavale, rite buzë lumenjve duke hedhur lule dhe ndezur qirinj etj.
-- 6 Maji festa e Shën Gjergjit celebrohet duke u bashkuar dhe festuar së bashku me darka dhe muzikë. Në orën tre të mëngjesit dalin dhe futen në lumë për t’u larë “ashtu si rrjedh uji I lumit, ashtu të rrjedh dhe jeta e tyre”.

Fiset rrome në Shqipëri janë katër: Meçkar, Karbuxhinj, Kurtof dhe Cergar.

Fisi Meçkar është vendosur më tepër në Myzeqe, Tiranë dhe Berat; Fisi Karbuxhi në Korçë, Fush Krujë, Tiranë, Elbasan dhe Pogradec (mendohet se kanë ardhur në Shqipëri nga Greqia); Fisi Kurtof në Lezhë, Shkodër (janë përqëndruar më shumë në veri të Shqipërisë sepse kanë ardhur nga pjesa e Malit të Zi); Fisi Cergar në Berat, Elbasan, Delvinë, Sarandë e Gjirokastër (mendohet se kanë ardhur në Shqipëri nga Greqia). Megjithatë lëvizjet e shumta kanë bërë që këto fise të gjenden dhe në pjesë të tjera të vendit tonë.

 

Kultura rrome
Kultura rrome ka shumë ngjyrime orientale, kjo nga origjina e tyre indiane.

Shumë njerëz i perceptojnë rromët si njerëz endacak, tregëtar hilacak ose fallxhor të mëdhenj. Por në të vërtetë janë shumë të pakët ata që arrijnë të flasin me ta dhe të njohin shpirtin e vërtetë të këtyre njerëzve që ndoshta mund të mos jenë të pasur ekonomikisht, por që janë tepër të pasur shpirtërisht.

Shpesh ne gaxhenjtë (jo-rromët) kalojmë pranë tyre dhe i shohim me kureshtje dhe frikë këta njerëz të veshur ndryshe, që flasin një gjuhë tjetër edhe pse jetojnë me ne, që i sheh shumë rrallë të buzëqeshin në rrugë, që është shumë e vështirë t’i flasësh sepse edhe në qoftë se ti nuk po i flet me tendencë negative ata ta kthejnë me mospërfillje sikur të donin të vet-mbroheshin nga ndonjë sulm i mundshëm.

Dhe në të vërtetë asnjëherë nuk arrijmë t’i njohim këta njerëz që janë populli me shpirtin më të lirë në botë, që për të ruajtur lirinë e tyre nuk i janë nënshtruar asnjë ligji, mbreti apo rregjimi për shekuj me rradhë ndonëse shpesh këtë liri e kanë blerë shumë shtrenjtë me varfëri të tejskajshme dhe paragjykime nga të gjitha anët. Ata janë një popull i mahnitshëm të cilit i është dhënë dhuntia e muzikës dhe kërcimit, jetojnë për momentin dhe nuk i bën përshtypje se çfarë thonë apo mendojnë të tjerët, i pëlqen të zbusin kafshët: arinjtë dhe kuajt; i pëlqen të udhëtojnë dhe të jenë të mistershëm, i pëlqejnë ngjyrat dhe janë tepër romantik.

Gazetari rrom Ramazan Mile i pyetur nëse rromët ngjajnë me lumin që nuk ka asgjë që e ndal apo me erën ai përgjigjet se rromët janë si era sepse lumi ka kufij që e burgosin brenda shtratit të vet. Në qoftë se për të jetuar duhen tre elemente bazë: ajri, dielli dhe uji Rromëve iu duhet edhe një element i katërt: Muzika- thotë ai. Kafsha simbol e rromëve është ariu, sipas një legjende të vjetër një vajzë kishte mbetur shtatzën dhe u hodh të mbytej në lum, por atë e shpëtoi një ari dhe kështu ariu u bë kafsha më e dashur për rromët.
Rromi e ka dashur lirinë më tepër se ç’duhet për këtë është i pasur në shpirt ndonëse jeton me gjëra të thjeshta. Shpesh rromët të japin përshtypjen se janë të vrazhdë dhe është e vështirë të komunikosh me ta, por kjo për shkak se varfëria e ngurtëson shpirtin. Rromët janë duhanpirësit më të mëdhenj në botë sepse duhani shuan urinë.
Dhe së fundi edhe pse rromët nuk kanë studiuar ekonomi, financë apo marketing ata janë tregëtar të shkëlqyer.

Besimi fetar
Historikisht rromët kanë marrë Fenë e vendeve në të cilat janë vendosur.

Dhe së fundi dua ta mbyll këtë prezantim të shkurtër duke iu bërë thirrje të gjithë juve që deri tani i shihnit rromët me nuanca negative të tregoheni më tolerantë, të mundoheni t’i njihni më parë ata të cilët i paragjykoni dhe para se të akuzoni ndonjë rrom që e kishit afër në autobuz se ju ka vjedhur kuletën shikoni mirë në çantën ose xhepin tuaj. . .
Dhe dua t’ju them të gjithë rromëve që Amaro Drom beson në përpjekjet tuaja për integrim dhe zhvillim, ne besojmë në vlerat dhe kapacitetin tuaj, ne besojmë në vet-organizimin dhe vet-inisiativat tuaja, ne besojmë se ju jeni të vetmit që mund të bëni diçka për përmirësimin e situatës, ne besojmë tek ju.

 


    

 

 

 

 

 

Informacion