Informacion

 

Gjendja aktuale e minoritetit Rrom ne Shqiperi

 

Krahas pakicave të tjera, në Shqipëri jeton edhe komuniteti Rrom, i cili konsiderohet si një minoritet gjuhësor. Kjo bashkësi njerëzish ka ardhur në vendin tonë, ashtu si edhe në shumë shtete të Europës, që nga shekulli i XIII e deri në shekullin e XV.
Ky minoritet edhe pse është vendosur në mënyrë paqësore në vendin tonë që prej më shumë se 600 vjetësh, ende edhe sot e kësaj dite nuk po gjen një frymë normale bashkëjetese me bashkëkombasit, kjo si rrjedhojë e indiferencës për gjendjen e tyre, e paragjykimeve dhe dallimit që i bëhet shpesh rromëve, ata ndjehen të diskriminuar dhe edhe pse ky diskriminim nuk është i hapur ai ka sjell vet-izolimin e rromëve.
Në vendin tonë ata janë rreth 120-150 mijë persona, megjithëse rregjistrime të sakta për këtë nuk ka. Më të përqëndruar janë në rrethet Tiranë, Elbasan, Durrës, Berat, Fier, Korcë, Vlorë, Fush Krujë, Gjirokastër etj.
Për sa i përket gjendjes së tyre aktuale në Shqipëri shifrat e nivelit të varfërisë, analfabetizmit, papunësisë dhe trafikimit janë të frikshme.

Në të vërtetë nuk dua të dramatizoj një realitet të hidhur, por thjesht të jap një vizion të qartë të situatës së këtij minoriteti në Shqipëri:

Arsimi
Niveli i ulët arsimor është problemi më serioz që pengon integrimin e këtij komuniteti me shoqërinë maxhoritare.
Fëmijët rrom janë shumica analfabetë kjo për shkak të vështirësive gjuhësore që kanë fëmijët në klasë të parë, të varfërisë që pllakos familjet e tyre, të largësis që kanë vendbanimet e tyre nga institucionet shkollore si dhe ndonjëherë të mentalitetit të gabuar të prindërve.
Të pyetura nëse fëmijët e tyre diskiminohen apo keqtrajtohen në shkolla, gratë rrome deklarojnë se fëmijët e tyre diskriminohen por jo në mënyrë të hapur. Mësuesit i shohin me syrin e një fëmije pa perspektivë për të ardhmen dhe shpesh i trajtojnë ata me mosperfillje, indiferencë apo perçmim për shkak të veshjes së varfër, pamundësisë ekonomike për të ndjekur aktivitetet me fëmijët e tjerë, pamundësis për të blerë libra e paisje si dhe të tjera si këto
Nëse fëmijët rrom nuk arrijnë të arsimohen kjo do të thotë se e ardhmja e tyre është në rrezik, kur rriten e vetmja punë që iu ofrohet fëmijëve të paarsimuar është pastrues rrugësh natën apo ditën, grumbullues plehërash, mbledhës kanaçesh dhe më së fundi profesioni i tyre më i vjetër lypja.
De facto:
Numri i studentëve rrom në shqipëri është vetëm 2.

Papunësia
Shifra të larta zë gjithashtu edhe numri i të papunëve dhe kjo në Shqipëri nuk është karakteristike vetëm për rromët. Gjatë periudhës socialiste pjesa më e madhe e rromëve u punësua në ndërmarrje të ndryshme shtetërore e kooperativa bujqësore ku punësimi i tyre ishte i garantuar. Me ardhjen e Demokracis në vitet 1991-1993 rromët që ishin stabilizuar në fshatra përfituan tokë bujqësore nga ligji 7501 ndërsa rromët që ishin përqëndruar në qytete e gjetën veten pa asnjë të ardhur. Sot, një pjesë e tyre marrin një përkrahje sociale minimale nga shteti, të tjerë aktivizohen me tregëtin e rrobave të përdorura ose me kryerjen e punëve të rëndomta, sa për të mbajtur gjallë frymën e familjes.
De facto:
Në komunitetin rrom të Fush Krujës jetojnë rreth 700 banore dhe gjendja e tyre është tepër e mjerueshme; tregëtia e rrobave të përdorura dhe lypja në rrugët e qytetit janë dy profesionet më të shpeshta; shumë gra detyrohen të shesin gjak për të siguruar ndopak ushqim për fëmijët e tyre të cilët nuk shkojnë në shkollë për shkak të varfëris (gjë që nuk jep asnjë shpresë për të ardhmen e tyre) etj. etj. Dhe ky nuk është i vetmi komunitet me këtë ekstremitet varfërie.

Ndër profesionet tradicionale të rromëve futen: muzika, punimet artistike (thurja me thupra), tregëtia e bujqësia. Shumë prej tyre kanë krijuar grupe të ndryshme muzikore dhe në të vërtetë fama e tyre i ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë. Edhe në fushën e tregëtisë ka shumë biznesmen të suksesshëm të cilët e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Pjesa më e madhe e popullsisë rrome që jeton në fshat merret me blegtori e bujqësi ndonëse mundësitë e tyre financiare për të punuar tokën e për të mbarështuar bagëti janë të pakta.

Gruaja rrome
Vajza esmere të bukura me sy të zinj, flokë të gjata të zeza, me veshje me ngjyra dhe me unaza e vathë floriri është e vështirë të mos të të tërheqin vëmendjen dhe të mos i shikosh me interes. Shpesh i sheh me një nishan në mes të ballit disa prej të cilave e venë për të treguar se janë të fejuara dhe të tjera thonë se është thjesht për zbukurim.
Gruaja rrome është viktimë e patriarkalizmit të theksuar të së kaluarës shqipëtare, gjë kjo që çon në mosvlerësimin e saj në jetën e përditshme dhe në shoqëri. Madje jo vetëm kaq, por gruaja rrome është dyfish e diskriminuar ato jane viktima të vetë dhunës familjare, nga burrat apo baballarët e tyre dhe nga ana tjetër ato janë grupi më i diskriminuar nga shoqëria.

Një tjetër problem serioz është dhe mungesa e vet-vlerësimit, ndërgjegjësimi për vlerat pozitive që ato kanë, besimi në forcat dhe mundësitë që ato kanë për zgjidhjen e problemeve, që ato janë mbrojtëset dhe përçueset e kulturës dhe traditës rrome etj.
Gratë rrome kanë moshën më të ulët të martesës ndërmjet grupeve të tjera etnike dhe maxhorancës shqipëtare. Edhe pse prindërit rrom shpesh janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që mbart martesa në moshë të re përsëri zakonet dhe traditat janë më të forta se ata. Martesa në moshë minorene jo vetëm që sjell probleme të shumta në shëndetin e vajzave, por edhe familjet e reja dhe me shumë fëmijë që ato krijojnë janë tepër delikate dhe të rrezikuara për divorc.
Familjet rrome janë numeroze dhe vështirësitë për rritjen e fëmijeve janë të panumërta, duke mos qenë të rregjistruar këta fëmijë shpësh nuk përfitojnë vaksinimin e detyrueshëm apo lehtësira të tjera shëndetësore. Përfshirja e grave rrome në programe informimi për planifikimin familjar dhe trajnime për shëndetin riprodhues e kujdesin për fëmijët është një domosdoshmëri
.

Emigracioni
Familjet rrome përballen me vështirësi të panumërta në jetën e tyre sociale.
Mundësitë e pakta të punësimit dhe pagat minimale i detyrojnë rromët të emigrojnë në vendet fqinje për një jetë më të mirë. Emigrimi është zakonisht ilegal dhe lëvizja shpesh bëhet në mënyrë klandestine.
Emigrimi kontribuon në divorcin, dobësimin e traditave dhe kulturës, prostitucionit të femrave Rrome, të trafikimit të fëmijëve Rrom dhe abuzimit me të drejtat e tyre.

Trafikimi
Shumë njerëz nuk e kuptojnë fjalën “trafikim” ndonëse shpesh janë edhe vet të implikuar në të, direkt apo indirekt. Nëna që çojnë fëmijët e tyre të punojnë jashtë shtetit (të këndojnë nëpër rrugë apo të lypin) mendojnë se po i japin fëmijëve një mundësi jetese, gra të divorcuara që bien pre e rrjeteve kriminale dhe familje të ndryshme të cilat detyrojnë fëmijët e tyre të punojnë si emigrant jozyrtarë mendojnë se kjo është e vetmja mundësi për të mbijetuar.
Prostitucioni dhe trafikimi kontribuojnë në thellimin e varfërisë edhe pse përdoren si mjete të përballimit të varfërisë (kur mekanizma të tjerë nuk janë të disponueshëm ose nuk përmbushin nevojat themelore të familjes). Pra janë kushtet ekonomike të cilat stimulojnë këto fenomene negative dhe në të vërtetë vetëm viktimat e trafikimit i kuptojnë pasojat e vërteta të tij.

Ndër profesionet tradicionale të rromëve futen: muzika, punimet artistike (thurja me thupra), tregëtia e bujqësia. Shumë prej tyre kanë krijuar grupe të ndryshme muzikore dhe në të vërtetë fama e tyre i ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë. Edhe në fushën e tregëtisë ka shumë biznesmen të suksesshëm të cilët e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Pjesa më e madhe e popullsisë rrome që jeton në fshat merret me blegtori e bujqësi ndonëse mundësitë e tyre financiare për të punuar tokën e për të mbarështuar bagëti janë të pakta.

Rregjistrimi
Rregjistrimi është një tjetër problem për të cilin ka një vakum njohurish, sidomos në atë se cfarë dokumentash në bazë të ligjit duhen për rregjistrim, pronësi, punë, lëvizjet brenda vendit, emigrim të ligjshëm, trashëgimia, arsimimi, burgjet e minorenëve etj, etj.

Strehimi
Deri në vitet ’60 shumica e rromëve bënin një jetë nomade, por pas këtyre viteve ata filluan të vendoseshin në vendbanime të përhershme. Shumica e rromëve kanë siguruar shtëpi të rahatshme dhe të sigurta për familjet e tyre, por disa komunitete jetojnë në baraka prej plastmasi apo dërrase, ku elektriciteti, uji i pishëm dhe kushtet e tjera minimale mungojnë

De facto
“Ne jemi shqipëtarë si gjithë të tjerët, përse nuk do asnjëri të na ndihmojë ose të paktën të na dëgjojë...”- pyeste duke qarë një nënë rrome e komunitetit të Lanës (Tiranë) të cilës fadromat e policise po i prishnin shtëpinë (barakën prej plastmasi) sipas urdhërit të Bashkisë për pastrimin e bregut të lumit te Lanës nga të gjitha ndërtimet e paligjshme. Ky qe një shembull i mirë për të treguar se dhe anëtarët e këtij komuniteti kanë detyra jo vetëm të drejta dhe duhet t’i zbatojnë ato si çdo qytetar tjetër shqipëtar.
Por a duhet të mendoj dikush për strehimin e tyre, a duhet të gjendet një zgjidhje për gati 100 familje që mbetën në mes të rrugës, a duhet të marrë ndokush mundimin të dëgjoj të qarat e fëmijëve që thonë se kanë mbetur përjashta, a nuk meritojnë vallë këta njerëz qoftë edhe vëmendjen më të vogël nga Autoritetet Qeveritare, Qendrore apo Lokale???

Nga persona të ndryshëm shpesh flitet se rromëve ju pëlqen të flen jashtë, të mos kenë shtëpia etj, etj.

  • Mendoni një herë të flini pa e kyçur derën e shtëpise tuaj para se të flini... --A do t’ju zer gjumi? -- A do të ndiheshit të sigurt?
  • Mendoni një herë të keni vetëm ujë lumi për të pirë, për të larë dhe për t’u larë... dhe jo për një javë apo për një muaj por për vite me rradhë?
  • Mendoni një herë të mos keni asperina për dhimbjen e kokës, farmacia është larg dhe në të vërtetë nuk keni as para për t’i bler...
  • Mendoni një herë të ndodheni në mes të një furtune dhe të mos keni asnjë mundësi t’i mbroni fëmijët tuaj të paveshur nga të acari e shiu...

Po të nisemi nga ato që ne kemi vëzhguar dhe po të kishit edhe ju rastin të shikonit ato çfarë ne kemi konstatuar nga vëzhgimet tona atëherë do të ishit të një mendimi me iden tonë që duhet një dorë e fortë ndihmëse për këta njerëz të harruar duke filluar që nga vet anëtarët e këtij komuniteti, shoqëria maxhoritare e deri tek Pushteti Qëndror e Lokal.

Rinia Rrome
Të rinjtë rrom janë grupi më I marxhinalizuar në vendin tonë. Të rritur në kushte të vështira social-ekonomike dhe nën presionin dallues të shoqëris ata e kanë patur tepër të vështirë të depërtojnë në jetën sociale e kulturore të vendit. Përfshirja e tyre në kurse profesionale, aktivitete kulturore dhe trajnime të ndryshme do të ndikonte në përmirësimin e situatës së tyre.
Nëse nuk bëjmë diçka sot, e nesërmja do të jetë përsëri e zymtë. Tani është momenti i duhur për të vepruar dhe ndihmuar ata që nesër do të mbajnë peshën e një gjenerate të re.

Pjesmarrja në politik
Presidenti i Unionit të Rromëve të Shqipërisë “Amaro Drom” Z. Skënder Veliu thotë se Rromët në Shqipëri janë të përjashtuar nga jeta politike. Në nivel kombëtar nuk ka përfaqësues rrom në strukturat qeveritare, ndërsa në strukturat lokale ka shumë pak përfaqësues. Kjo sjell dhe pamundësinë e rromëve për të shprehur nevojat e tyre në instancat qeveritare qendrore apo lokale. Megjithëse përpjekje janë bërë për të pasur përfaqësues në Parlamentin shqipëtar, një gjë e tillë nuk është realizuar për shkak të përfaqësimit në parti të ndryshme politike.
Nuk ka asnjë gazetë, revistë apo stacion televiziv në gjuhën rrome që të ngrejë zërin për problemet e tyre. Publikime të ndryshme bëhen në përgjithësi në gjuhën shqipe dhe anglisht, por hapja e një stacioni radifonik ose televiziv do të sillte një përfshirje më të madhe të rromëve në jetën sociale, kulturore dhe politike të vendit-thekson ai.

Kriminaliteti
Kriminaliteti në këtë komunitet nuk është i theksuar, ka raste por këto janë të rralla. Konfliktet brenda komunitetit në fakt nuk mungojnë, por ato zgjidhen brendapërbrenda komunitetit me pajtim. Drejtoria e Policisë Tiranë pohon se përqindja e kriminalitetit në komunitetin rrom është e papërfillshme. Nuk mund të themi se rromët janë krejt të pafajshëm dhe të tjerët i bien më qafë kot me akuza, sepse si çdo popull tjetër edhe në këtë komunitet ka kriminel apo hajdut, por këto nuk ndodhin për përfitime kolosale, por thjeshtë për mbijetesë. A keni parë ndonjëherë njerëz të pasur të vjedhin apo të lypin?

Gjuha rrome
Vetëm në fund të shekullit XVIII u vërtetua nga studiuesit se gjuha rrome e ka prejardhjen nga gjuha Indiane, gjuhë të përafërta me të në kohën e sotme janë gjuha që flitet në Indi, Nepal, Benegal etj.
Kjo gjuhë ka pësuar ndryshime të shumta për shkak të lëvizjes së rromëve. Shpesh rromët janë detyruar të mos e flasin gjuhën e tyre për shkak të persekutimeve dhe dhunës që i kanosej, kështu që disa fise rrome në botë e kanë humbur gjuhën e tyre, ndërsa të tjerë kanë humbur një pjesë të saj duke futur fjalë nga fjalori I popullit me të cilin bashkëjetonin.

Fjala RROM do të përkthehej në shqip burrë ose person, term me të cilin rromët identifikojnë veten e vet. Të gjithë njerëzit e tjerë jo-rrom quhen në gjuhen rromanè GAXHENJ (GAXHI-njëjës). Vende të ndryshme kanë përdorur terma të ndryshëm për emërtimin e rromëve, si: cigan, gabel, bohem, arixhi, kurbat etj.

Edhe pse shumë veta e flasin gjuhën rrome në të vërtetë ajo është drejt zhdukjes dhe shkaqe për këtë janë:

  • Përshtatja e rromëve me popullsinë vendase;
  • Shumë familje evitojnë të flasin gjuhën e tyre për shkak të diskriminimit;
  • Fakti që kjo gjuhë transmetohet në mënyrë gojore dhe jo me shkrim.

 

 

 

 

 

 

 

 

Informacion