Projekte Ekonomike
Unioni i Rromëve të Shqipërisë Amaro-Drom dhe HEJFER ALBANIA
Emri i Projektit: Projekti Ndërkombëtar i mëshqerrave:
Projekti 1: Projekti i lopëve për familjet e varfëra rrome në rajonin e Fierit. (Projekt në vazhdim: Qershor 2007- Qershor 2009 )
Projekti 2: Dhi qumështi për popullsinë rrome në komunitetin e Grabianit. (Projekt në vazhdim: 2005-2008 )
Administratorë projekti: UNIONI i Rromëve të Shqipërisë Amaro-Drom
Projekti ndërkombëtar i mëshqerave, dhuratë-pasimi në komunitetin Baltëz/Fier dhe Grabian/Lushnje.
Fieri dhe Lushnja njihen si zonat më të populluara rrome në bazë të numrit të popullsisë. Familjet e rromëve në rrethin e Fierit dhe në atë të Lushnjes kanë qënë prezente që nga fundi i shekullit të XI dhe fillimi i shekullit të XII.
Këto familje kanë qenë të përqëndruara në disa fshatra si: Baltëz, Qarr, Gardishtë dhe në disa fshatra të tjera. Përqëndrimi më i madh i ngulimeve të familjeve rrome në Fier ka qënë fshati Baltëz. Aktulisht në Baltëz jetojnë rreth 200 familje, këto familje i përkasin fisit “Meçkar”. Marrëdhëniet midis popullsisë vendase dhe të ardhurve kanë qënë në harmoni dhe mirëkuptim të plotë. Populli shqiptar njihet për mikpritjen dhe tolerancën etnike dhe fetare. Rromët e Baltëzës njihen si orkestrantë të shkëlqyer, por edhe si bujq dhe blektorë të përsosur. Terreni fushor dhe tokat e pasura bujqësore i ka bërë rromët e Baltëzës specialistë të bujqësisë dhe të blektorisë . Në Grabian të Lushnjes jeton nje komunitet rrom i përqendruar i cili është vendosur aty qysh prej viteve “62 si nevojë e shtetit për të siguruar fuqi punëtore pranë ndërmarrjeve bujqësore. Popullsia rrome aty përbën më shumë se 20% të popullsisë së përgjithshme të komunës Grabian. Popullsia rrome e kësaj zone kryesisht është marrë me bujqësi dhe blegtori.
Dhurata e 15 lopëve dhënë familjeve në nevojë nga fondacioni i Heifer Albania në bashkëpunim me UNIONIN e Romëve të Shqipërisë “Amaro-Drom” u prit me entuziazëm jo vetëm nga familjet përfituese por edhe nga i gjithë komuniteti i fshatit Baltëz. Ne Grabian ne fazën e parë të projektit kanë përfituar 25 familje dhi alpine. Deri më tani si pasojë e metodës së pasimit kanë përfituar 60 familje rrome nga ky projekt.
Përfaqësuesi i Fondacionit Heifer Albania, z. Gori Stefa informoi familjarët përfitues se ky projekt që po zbatohej në Baltëz, zbatohet edhe në shumë vënde të tjera të botës pasi Fondacioni Hejfer është fondacion ndërkombëtar që ndihmon familjet në nevojë. Hejfer Albania vepron në komunitete paqësore ku njerzit zhvillojnë ferma të qëndrueshme blegtorale që sigurojnë produkte bujqësore cilësore në përputhje me kërkesat e tregut, në komunitete të cilat përbëhen nga familje të shëndosha, që shkëmbejnë burime të mjaftueshme mes tyre dhe interesohen për mirëarsimimin e fëmijëve të tyre.
Vlerat në të cilat bazohen keto projekte janë: Toleranca (etnike dhe fetare); Tradita; Humanizmi dhe bashkëpunimi; Familja; Mikëpritja.
Parimet në të cilat bazon punën Hejferi me partnerët e tij janë: Pasimi i dhuratës; Përgjegjësia; Ndaj me të tjerët dhe kujdesu për ta; Mbështetja dhe vetëbesimi; Përmirësimi i mbarështrimit të kafshëve; Të ushqyerit dhe të ardhurat; Përkatësia gjinore dhe familja; Çiltërsia dhe drejtësia; Përmirësimi i mjedisit; Pjesëmarrje e plotë; Trajnim dhe edukim; Afrimiteti shpirtëror.
Lopët që janë sjellë në Baltëz, kanë ardhur nga Danimarka janë të rracës shumë të njohur me prodhimtari të lartë qumshti, rraca “Xhersej”. Ai ndër të tjera tha se ky projekt do të shërbejë si test për komunitetin e Baltëzës. Në qoftë se ky projekt do të jetë i suksesshëm, do të shihen mundësitë për përhapjen e tij edhe në komunitete të tjera ku rromët kanë përvojë blektorale.
Komuniteti rrom përfitues nga projekti ka siguruar mbështetjen maksimale të komunës, pasi është detyra e komunës që të mbështesë dhe të përkrahë inisiativat pozitive që ndërmerren për banorët e kësaj komune. Procedura e shpërndarjes se lopëve dhe dhive ishte me short. Përfituesit dhe gjithë komuniteti ngeli shumë i kënaqur dhe u shprehën se do të kujdeseshin për lopët dhe dhitë, ashtu siç kujdesen për fëmijëve të tyre.
Unioni i Rromëve të Shqipërisë
Amaro-Drom